Ambasada amerikane në Prishtinë e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur të hënën mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Vizita e djeshme ishte vërtet e jashtëzakonshme. 14 anëtarë që përfaqësojnë gjashtë agjenci të USG vizituan Prishtinën për të nënvizuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, popullit të saj dhe ndaj marrëveshjes historike për normalizim ekonomik e udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë. Lidhjet më të forta – përmes projekteve të përbashkëta të infrastrukturore, diversifikimit të energjisë, turizmit dhe bashkëpunimit të sektorit privat – do t’i nxis investimet dhe do të hap mijëra vende të punës për të rinjtë. Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, ne shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Qeverinë e Kosovës dhe sektorin privat për të zbatuar plotësisht angazhimet e bëra në marrëveshjen e Washingtonit”, njofton ambasada./UBTNews