UBT News

Ambasada amerikane në Shqipëri del me njoftim për vizat pasi u mbyll qeveria federale

Ambasada amerikanë në Shqipëri ka njoftuar se shërbimet e planifikuara për vizat drejt Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë, sipas mundësive.

Për shkak të vonesës në miratimin e fondeve buxhetore, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht – me përjashtim të informacioneve urgjente për çështjet e sigurisë – derisa të rinisë veprimtaria e rregullt. Gjatë kësaj kohe, shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave për tranzit në Shtetet e Bashkuara dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë sipas mundësive. Për më shumë informacion mbi shërbimet tona dhe statusin operativ, vizitoni: travel.state.gov”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Facebook.

Gjithashtu në faqen e ambasadës njoftohet se: “Duke filluar nga data 1 tetor 2025, vetëm vizat B1/B2 që janë ende të vlefshme ose që kanë skaduar brenda 12 muajve të fundit mund të rinovohen me postë. Të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa udhëtimeve qeveritare, do të kërkojnë një takim për intervistë. Ne inkurajojmë aplikantët për vizë të kontrollojnë faqen e internetit të ambasadës si dhe travel.state.gov  për informacion më të detajuar rreth kërkesave dhe procedurave të aplikimit për vizë, si dhe për të mësuar më shumë rreth statusit operacional dhe shërbimeve të ambasadës”.

Mbyllja e qeverisë federale amerikane

Për herë të parë në shtatë vite, qeveria federale e SHBA është futur zyrtarisht në një mbyllje administrative, pas dështimit të Kongresit për të arritur një marrëveshje mbi buxhetin.

Përplasjet mes republikanëve të mbështetur nga Donald Trump dhe demokratëve penguan miratimin e një projektligji të përkohshëm. Si pasojë, miliona punonjës federalë përballen me pezullime, vonesa pagash dhe pasiguri për të ardhmen.

Në sektorin e mbrojtjes, tensionet janë rritur. Pentagoni – tani i riemërtuar si Departamenti i Luftës – ka paralajmëruar reforma të thella, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka kritikuar ashpër klasën politike për “dekada degradimi”.

Ndërkohë, sindikatat kanë ngritur padi, duke akuzuar administratën për keqpërdorim të ligjit mbi mbylljet qeveritare dhe përpjekje për të shkurtuar vende pune në mënyrë të njëanshme.

Me mungesën e një marrëveshjeje në horizont, kriza buxhetore pritet të thellohet në ditët në vijim./D.B/KP

Exit mobile version