Amazon ka bërë të ditur se më 20 gusht do të mbyllë Amazon Appstore për pajisjet Android, duke ndërprerë kështu funksionimin e këtij shërbimi në këtë platformë.
Ky vendim, i paralajmëruar që në shkurt, vjen si pjesë e përqendrimit të kompanisë në platformat e veta, përkatësisht Fire TV dhe Fire Tablet, ku sipas Amazon shumica e përdoruesve aktualisht shfrytëzojnë Appstore.
Amazon kishte ndërprerë më parë funksionimin e Appstore edhe në Windows gjatë vitit 2024. Ndërkohë, përdoruesit e Amazon Appstore në pajisje Fire nuk do të preken nga ky ndryshim.
Së bashku me mbylljen e Appstore, më 20 gusht do të pezullohet edhe programi Amazon Coins. Përdoruesit që kanë ende monedha dixhitale në llogaritë e tyre do të mund të përfitojnë rimbursim, edhe pse detajet për mënyrën e kompensimit pritet të publikohen në një datë të mëvonshme.
Në faqen zyrtare të pyetjeve të shpeshta mbi mbylljen, Amazon thekson se aplikacionet e blera më herët përmes Appstore nuk garantojnë funksionim pas datës së mbylljes.
Amazon Coins janë përdorur për blerje brenda aplikacioneve dhe në vetë dyqanin e aplikacioneve të Amazon.