UBT News

Amazon, BlackRock dhe Wells Fargo shtyejnë datat e kthimit në zyra

Kompanitë e mëdha amerikane si Amazon, BlackRock dhe Wells Fargo kanë vendosur të shtyjnë datat e kthimit në zyra si rezultat i rritjes së shpejtë të rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) për shkak të variantit më ngjitës Delta.

Sipas informacionit të ndarë nga gjiganti amerikan i tregtisë elektronike Amazon me punonjësit e korporatës në vend, data e kthimit në zyrë, e cila ishte shpallur më parë për më 7 shtator, është shtyrë për më 3 janar 2022.

Kompania tha se rrethanat lokale në lidhje me COVID-19 vazhdojnë të monitorohen nga afër.

Wells Fargo, një nga bankat më të mëdha në SHBA, gjithashtu njoftoi se punonjësit e saj do të punojnë nga shtëpia deri më 4 tetor. Banka kishte njoftuar më parë 7 shtatorin si datë për kthimin e punonjësve të saj në zyra.

Ndërkaq, firma e menaxhimit të aseteve BlackRock deklaroi se varianti Delta ka ngritur shqetësime për kthimin në zyrë dhe tha se puna në distancë është zgjatur deri më 1 tetor.

Javën e kaluar në SHBA, kompania amë e Google, Alphabet, njoftoi se do të zgjasë punën nga shtëpia deri më 18 tetor. Përveç kësaj, Alphabet dhe Facebook e kanë bërë vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit e tyre.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins, numri i të infektuarve në SHBA ka arritur në 35.335.990, ndërsa numri i të vdekurve në 614.815.

Exit mobile version