Në korrik të vitit të kaluar Gjykata e Apelit kishte marrë vendim me të cilin e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale, dhe vendimin lirues të Gjykatës së Prishtinës e kishte ndryshuar në dënues për Adem Grabovcin, Ilhami Gashin e Sadat Gashin.
Lajmin për kthimin e rastit në rigjykim në Gjykatën e Apelit e ka konfirmuar mbrojtësi i Adem Grabvcit, Florent Latifaj.
Në rastin ‘Pronto’ deri më tani ishin marrë dy vendime, njëri lirues nga gjykata e shkallës së parë më 3 janar 2020, dhe njëri dënues nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit, më 1 korrik 2020, e kishte ndryshuar vendimin lirues të shkallës së parë për të akuzuarit Adem Grabovci, Ilhami Gashin e Sedat Gashin duke i dënuar me kusht. Më pas, ankesat ndaj këtij vendimi lëndën e dërguan në Gjykatën Supreme për të prishur vendimin e Apelit.
Gjykata e Apelit, të akuzuarit i kishte dënuar me dënim me kusht dhe dënime plotësuese si në vijim.
Adem Grabovcit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 2 muajve burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në rast se ai nuk do të kryente vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i akuzuari nuk do të kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Ndërsa Sedat Gashi ishte dënuar, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i akuzuari nuk do të kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.Në çështje tjera (pika I, IV, V, VI, VII, VIII, IX e dispozitivit) ankesa e prokurorisë ishte refuzuar si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është vërtetuar, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.
Fjala “Pronto” ishte bërë e famshme në vitin 2014, menjëherë pasi që rrodhën përgjimet e para ku politikanët e lartë, krysisht nga PDK u dëgjuan duke biseduar në mes vete.Ish shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, ishte protagonisti kryesor në aktakuzën e Prokurorisë. Grabovci ishte përgjuar teksa bisedonte me një numër të madh të zyrtarëve të shtetit ndër ta edhe me kryeministrin. (Kallxo.com)