UBT News

Alix Earle kërkon deri në 500 mijë dollarë për një postim reklamues

Influencuesja amerikane Alix Earle kërkon nga 250 mijë deri në 500 mijë dollarë për një postim të vetëm në kuadër të bashkëpunimeve me marka të ndryshme, raporton revista “The Hollywood Reporter”.

Sipas revistës, për 25-vjeçaren, e cila ka ndërtuar një audiencë të madhe në TikTok, një nga kriteret kryesore për pranimin e bashkëpunimeve është nëse i pëlqen vërtet produkti që i ofrohet për promovim.

Babai i saj, Thomas Earle, ka treguar se kur vajza e tij e pëlqen mjaftueshëm një produkt, ndonjëherë është e gatshme ta promovojë edhe pa pagesë.

“Duket e çmendur të shpenzosh kaq shumë para, por unë vërtet besoj te jetëgjatësia dhe te ruajtja e besimit që kam ndërtuar me audiencën time”, është shprehur Earle.

Përveç bashkëpunimeve reklamuese, influencuesja ka nisur të investojë edhe në kompani të ndryshme. Ajo ishte ndër investitorët e hershëm në kompaninë e pijeve me bazë prebiotike Poppi, të cilën PepsiCo e bleu vitin e kaluar për 1.95 miliardë dollarë.

Earle zotëron gjithashtu aksione në markën e produkteve të mirëqenies Cymbiotika, ndërsa është investitore dhe ambasadore e markës së koktejeve të gatshme SipMARGS.

Në mars, ajo prezantoi edhe markën e saj të produkteve për kujdesin e lëkurës, Reale Actives, duke zgjeruar aktivitetin në industrinë e bukurisë.

Gjatë intervistës, Earle foli edhe për kritikat që kishte marrë pas deklaratës se nuk kishte lexuar asnjë libër gjatë jetës së saj.

“Le ta bëjmë të qartë: E kam lexuar patjetër librin, por jo, nuk lexoj në mënyrë aktive. Për momentin nuk jam duke lexuar asgjë”, u shpreh ajo.

Alix Earle u bë e famshme gjatë pandemisë së COVID-19, përmes videove në TikTok, ku fitoi miliona ndjekës me përmbajtje rreth përditshmërisë, bukurisë dhe stilit të jetesës.

Vitin e kaluar, ajo arriti në vendin e dytë në sezonin e 34-t të spektaklit “Dancing with the Stars”. Ndërkohë, në shtator, në Netflix debutoi reality show i familjes së saj, “Earle Meets World”, i cili, sipas raportimeve, është rinovuar për një sezon të dytë./A.K/

Exit mobile version