Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se marrëveshja me katër komunat për banimin e përballueshëm social, tri prej të cilave udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka qenë e qëllimshme.
Në një prononcim për media, Aliu ka thënë se banimi i përballueshëm do të menaxhohet nga niveli qendror në bashkëpunim me komunat, ndërsa banimi social do të jetë në menaxhim të plotë nga komunat. Ai shtoi se ligji i ri i parasheh pesë kategori sociale, duke filluar nga niveli i varfërisë ekstreme deri te nivelet e mesme të cilat do të mund të përfitojnë këto banesa.
“Të hënën do të nënshkruajmë me Komunën e Istogut po ashtu dhe presim që pasi t’i rregullojmë kushtet me çështjet e pronave nëpër komunat tjera e po ashtu kemi bërë thirrje edhe për komunat të cilat nuk është aplikuar të aplikojmë sërish për banimin social dhe të përballueshëm. Ligji është në Kuvend dhe presim finalizimin e tij në Kuvend që të hyjë në fuqi dhe kjo do të zgjidhë edhe problemet tjera që kanë të bëjnë me banimin e përballueshëm dhe çështjen e pronësisë”, ka thënë Aliu.
“Banimi i përballueshëm është banimi i cili do të menaxhohet, shpërndarja e banesave nga niveli qendror në bashkëpunim me komunat, ndërsa banimi social do të jetë në menaxhim të plotë nga komunat…Ligji i ri i parasheh pesë kategori sociale nga niveli i varfërisë ekstreme deri te nivelet e mesme të cilat do të mund të përfitojnë këto banesa”, ka thënë Aliu.
Ministri Aliu mohoi se përzgjedhja e komunave të Gjilanit, Podujevës, Pejës e Kamenicës për projektin e banimit të përballueshëm është bërë në mënyrë të qëllimshme, pasi tri nga katër komunat udhëhiqen nga LVV-ja. Gjilani, Podujeva e Kamenica udhëhiqen nga VV-ja. Ai tha se lokacionet duhet t’i plotësojnë kriteret në mënyrë që të përfitojnë nga ky projekt.
“Jo nuk ka të bëjë kjo me atë që janë të Vetëvendosjes. Ne iu kemi bërë thirrje komunave të gjithave dhe iu bëjmë thirrje prapë. Nëse lokacionet të cilat komunat i përzgjedhin i plotësojnë kriteret sipas planave hapësinore, lokale dhe dokumenteve të planifikimit hapësinor lokal, parashihet banim në ato lokacione, është pronë e komunës, e ka infrastrukturën pranë, pra nuk ka ndonjë problem në lidhje me infrastrukturën qoftë teknike, qoftë pozicioni, lokacioni i tyre varësisht prej zonave të banimit që janë jo të jenë të izoluara nga zonat e banimit të qyteteve, e pa dallim të gjitha komunat do të mund t’i marrin ato”, tha ai.
Përveç kësaj, Aliu pyet nëse ky projekt do të mund të fillonte në fillim të mandatit, për çka tha se “nuk ka mundur ky projekt kaq i madh të bëhet menjëherë”, derisa përmendi disa nga arsyet që sipas tij kanë ndikuar në vonesë.
“E para janë shumë çështje tjera, është dashur të bëhet studimi i fizibilitetit, ndryshimi i projektligjit dhe të analizohet situatat sociale në bashkëpunim edhe me ministritë e tjera. Nuk ka mundur ky projekt kaq i madh të bëhet menjëherë në fillim të mandatit”, tha Aliu.