UBT News

Aliu: Linja hekurudhore Prishtinë-Nish do të kishte kuptim vetëm nëse do të na lidhte me Durrësin

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu deklaroi sot se gjatë Samitit të Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021, të mbajtur në Beograd ka pasur kërkesë për linjën hekurudhore Prishtinë – Nish, por që sipas tij, kjo e fundit nuk do të kishte kuptim pa bërë lidhjen me Portin e Durrësit.

Aliu, në një konferencë për media të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, dha edhe detaje të tjera lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Beograd.

Ai bëri të ditur se gjatë samitit ka ngritur çështjen e korridoreve të reja, pasi që siç tha ai, korridoret hekurudhore ekzistuese e lënë Kosovën anash. Ndërsa theksoi se linja hekurudhore Prishtinë – Nish do të kishte kuptim vetëm nëse do të lidhte Prishtinën me Durrësin.

“Në Beograd ajo çka unë kam ngritur tjetër, është çështja e korridoreve të reja. Ajo që dua të them është që korridoret ekzistuese e lënë Kosovën anash”, tha ai.

“Është kërkuar që të bëhet edhe një linjë tjetër, nga Prishtina për Nish. Kjo linja tjetër nga Prishtina për Nish, do të kishte kuptim vetëm nëse do të kishim me e lidhë Prishtinën me Durrësin. Prandaj, është e domosdoshme sot që të insistohet nga ne, por edhe nga Republika e Shqipërisë, sepse ka fonde të BE-së, që ta bëjnë linjën hekurudhore nga Prishtina në Durrës. Kjo nënkupton që do të kemi qarkullim të udhëtarëve por edhe të mallrave, pasi që pritet që Porti i Durrësit të jetë një port i rëndësishëm i Mesdheut”.

Aliu bëri të ditur se marrëveshja e nënshkruar në Beograd ka të bëjë me harmonizimin e legjislacionit ndërmjet vendeve dhe modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore.

“Traktati, i cili u nënshkrua ka të bëjë me harmonizimin e legjislacionit ndërmjet vendeve, ka të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore në mënyrë që të mundësohet një komunikim dhe një transport normal mes vendeve të Ballkanit. Problemet e shumta janë pikat kufitare, pra në këtë rast, është edhe çështja e mënjanimit të procedurave nëpër pika kufitare”, tha ai.

Exit mobile version