UBT News

Algjeria dëbon 12 zyrtarë francezë pas arrestimit të tre shtetasve algjerianë në Francë

Algjeria ka kërkuar largimin e 12 zyrtarëve francezë brenda 48 orëve, një vendim që lidhet me arrestimin e tre shtetasve algjerianë në Francë, sipas një deklarate të ministrit francez për Çështjet Evropiane dhe të Jashtme, Jean-Noël Barrot, të dhënë të hënën.

Ministri Barrot i bëri thirrje autoriteteve algjeriane që të tërheqin masën e dëbimit, duke paralajmëruar se në rast se kjo kërkesë nuk anulohet, Franca do të ndërmarrë masa reciproke pa vonesë.

Të 12 zyrtarët në fjalë, disa prej të cilëve i përkasin Ministrisë së Brendshme franceze, janë të përfshirë në një çështje që ka tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve. Ky veprim i Algjerisë përbën një pengesë serioze për përpjekjet e fundit për të riparuar lidhjet dypalëshe, të rënduara historikisht nga e kaluara koloniale.

Largimi i zyrtarëve francezë vjen në vazhdën e padisë së ngritur nga autoritetet franceze kundër tre shtetasve algjerianë, përfshirë një zyrtar konsullor, të cilët dyshohen për përfshirje në rrëmbimin e influencuesit algjerian Amir Boukhors — i njohur ndryshe si “Amir DZ” — në periferi të Parisit në prill të vitit 2024.

Boukhors, një kundërshtar i hapur i qeverisë algjeriane dhe me më shumë se një milion ndjekës në TikTok, ka jetuar në Francë që nga viti 2016 dhe ka fituar statusin e azilit politik në vitin 2023. Sipas avokatit të tij, ai u rrëmbye dhe më pas u lirua një ditë më vonë.

Ndërkohë, Algjeria kërkon ekstradimin e Boukhors për t’u përballur me akuza për mashtrim dhe vepra të lidhura me terrorizmin, për të cilat janë lëshuar gjithsej nëntë urdhër-arreste ndërkombëtare.

Exit mobile version