UBT News

Aleanca shqiptare, forca e dytë në Graçanicë

Kandidati i vetëm shqiptar në Komunën e Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka arritur të sigurojë 2 mijë e 635 vota në zgjedhjet lokale, ku i  njëjti ka vlerësuar pozitivisht rezultatet dhe rritjen e ndjeshme të votuesve shqiptarë në këtë komunë.

“Rezultatet janë shumë të mira, sepse për herë të parë kemi një shumëfishim të votave. Duhet të theksojmë se në vitin 2021, të gjithë shqiptarët bashkë kishin rreth 510 vota, ndërsa tani ne kemi afërsisht 2 mijë e 700, duke përfshirë edhe votat me postë. Kjo është një rritje e madhe”,  tha Ajeti.

Ai shprehu besimin se në zgjedhjet e ardhshme kjo Aleancë Shqiptare do të jetë fituese e padiskutueshme.

“Fitorja e parë ka qenë bashkimi i shqiptarëve atje, dhe në zgjedhjet e ardhshme shpresojmë të jemi fitues të padiskutueshëm si aleancë shqiptare”,  tha Ajeti.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën e 12 tetorit, partitë më të mëdha shqiptare u bënë bashkë në një listë në garën zgjedhore komunale në Graçanicë.

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garuan bashkë, me iniciativën Aleanca Shqiptare, e cila në krye pati Leutrim Ajetin./S.K/EO/

Exit mobile version