Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka marrë pjesë në protestën e organizuar pranë kësaj ministrie, ku qëllim i pjesëmarrjes së saj ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, vrasja e vajzës 18-vjeçare, Marigona Osmani, e shpërfaqë papërgjegjësinë institucionale përballë kryerësve të veprave penale.
“Kjo vrasje është alarm për shoqërinë por edhe për secilin institucion, prandaj do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente”.
“Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Tutje, nët këtë reagim thuhet se janë shumë jetë të humbura e së fundi Kosova ka rastin e Marigona Osmanit, por që do të angazhohen që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët.
“Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe ngacmimeve seksuale është njëra nga prioritetet e Ministrisë se Drejtësisë”.
“Ne do të angazhohemi në parandalimin e rasteve të çfarëdo lloji të dhunës. Vetëm me një gjyqësor të drejtë ku nuk lirohen të fuqishmit, por mbrohen viktimat, ne do të arrijmë një shoqëri të sigurtë e të barabartë”.
Sipas këtij dikasteri, Kosova nuk duhet të ketë thirrje të humbura, raportime pa veprim, veprime me vonesa e vonesa të kushtueshme me jetë njerëzish.
“Vrasja e Marigonës është pasojë e papërgjegjësisë institucionale prandaj revolta qytetare është e drejtë. Transformimi i organeve të drejtësisë me qëllim të vënies në nivel të përgjegjësisë dhe profesionalizmit është detyrë e domosdoshme”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë, përcjellë Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot është mbajtur marshi protestues nga Ministria e Drejtësië tek Ministria e Punëve të Brendshme e deri tek Qeveria e Kosovës me moton “Vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare”.
Ndërsa, protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe në objektin e Qeverisë së Kosovës nën parullat “Ministria i ka duart me gjak”, “Prokurori i keni duart me gjak”, “Mos i jepni zemër vrasësve”.