Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u paraqit këtë paradite në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po mbahet seanca gjyqësore lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016. Por, seanca u shty për shkak të mungesës së të akuzuarve të tjerë.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Aktakuza lidhet me periudhën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.