Më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u zhduk. Në 25-vjetorin e zhdukjes së profesor Hotit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova e shqiptarët nuk kanë një politikan filozof e teoricien të politikës sikurse ishte Ukshin Hoti dhe se drejtësia për të ende nuk ka filluar.
Kurti në këtë ditë, në përvjetorin e vdekjes, ka përkujtuar edhe heroinën Marte Tunaj, e cila me guxim tregoi të vërtetën për dhunën seksuale, të përdorur nga Serbia si armë lufte në Kosovë.
“Për këto krime, drejtësia është vonuar. Çdo ditë kujtojmë krimet e pamohueshme që Serbia ka kryer në Kosovë. 25 vite pas, Serbia jo vetëm që nuk pranon këto krime por ende i fsheh ato. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe përballja me drejtësinë janë të domosdoshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova nuk ndalet në betejën për drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.
“I përkulemi guximit e sakrificës së popullit tonë, që janë udhërrëfim për ecjen tonë përpara”, ka përfunduar Kurti.