Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar për takim krerët e subjekteve politike të Kosovës, i cili do të mbahet të shtunën në orën 16:00.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nënvizon qartë se obligimi për konstituimin e Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe jo vetëm e subjektit të parë fitues të zgjedhjeve.
Ai ka thënë se ky takim paraqet një përpjekje të re për arritjen e konsensusit lidhur me formimin e përbërjes së re të Kuvendit.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kam ftuar të gjithë krerët e subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë për një takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në përpjekje për të arritur konsensus për konstituimin e Kuvendit”, shkruan Kurti në postim.
Takimi vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka theksuar se të gjithë deputetët kanë përgjegjësi të përbashkët në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.