Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në një intervistë në RTV 21, ka konfirmuar se është në bisedime për një bashkëpunim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të lidhur një koalicion të mundshëm në zgjedhjet e reja parlamentare, kurdo që ato të mbahen.
Ajo ka thënë se është koha që ajo dhe kryetari i Vetëvendosjes t’i bashkojnë forcat, jo veç si politikanë, por siç e potencon ajo, për të mirën e qytetarëve.
“Jemi në proces të diskutimeve me z. Kurtin për bashkëpunimin, dhe nuk do të ishte e drejtë që të flasë pa pasur një marrëveshje finale. Nuk është vetëm dëshirë e dyanshme për domosdoshmëri që t’i bashkojmë forcat, jo vetëm ne, por kërkohet që të jetë një bashkim i qytetareve, që duan t’i rrisin fëmijët e tyre më mirë, është shumë më shumë se bashkim i politikanëve. Jemi duke diskutuar, por vullnet ka, po flas për vete”, ka thënë Osmani në një intervistë për RTV 21.
Osmani ndër të tjera ka shtuar se nuk është më e interesuar të udhëheq Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi sipas saj LDK i mbylli derën ndaj edhe u detyrua të hapë një derë tjetër për të vazhduar rrugëtimin e saj në politikë./UBTNews