UBT News

Albin Kurti do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit

Kryeministri në detyrë, njëherësh i mandatuari tanimë për qeverinë e re, Albin Kurti do të udhëtojë për në Londër ku do të përfaqësojë Kosovën në samitin e Procesit të Berlinit që zhvillohet më 22 tetor.

Procesi i Berlinit synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes politike, ekonomike dhe teknike nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar mandatin përmes së cilit ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Sipas presidentes ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të mandative në Kuvend nga rezultat e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e Presidentes. Mandatimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re u mundësua vetëm një ditë pas Parlamenti i Kosovës përfundoi një proces të stërzgjatur të konstituimit me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit Nenad Rashiq nga radhët e komunitetit serb. Rashiq nuk është nga lista Srpska, ndonëse kjo e fundit pretendon që nënkryetari i kuvendit u zgjodh jashtëligjshëm dhe se i takon asaj ky post, sepse është grupi  më i madh parlamentar  me nëntë deputetë nga radhët e komunitetit serb.”

Pavarësisht se kanë kaluar shumë muaj Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë.

Kuvendi i Kosovës u konstituua me shumë vështirësi, derisa Lista Serbe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb e çoi edhe një herë në Kushtetuese.

Kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese të cilët thanë se kanë pranuar tanimë ankesën e Listës Serbe e cila do të trajtohet në vazhdim. Kurse ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur mbi krijimin e qeverisë së re.

Në konferencën për media, ai tha se dita e fundit për ta prezantuar kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori./S.K/EO/

 

Exit mobile version