Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë legjislacionin në fuqi për ndëshkimin maksimal të dhunuesve. Sipas saj, deri më tani nuk ka asnjë dënim me gjobë deri në tri vjet, siç e parasheh neni i Kodit Penal të Kosovës. Kështu u shpreh ajo në aktivitetin “Thyerja e heshtjes: Fuqizimi i Zërave nga Italia dhe Kosova kundër dhunës ndaj grave”, të organizuar nga Ambasada e Italisë dhe Fondacioni Jahjaga.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu tha se shifrat e dhunës në familje kudo në botë janë alarmante.
“Dhuna ndaj grave shpesh mbulohet nga heshtja, duke i detyruar viktimat të mbajnë barrën e traumës së tyre të vetme, nga frika ose turpi; kjo heshtje përfaqëson jo vetëm një zbrazëti, por edhe një pengesë për drejtësinë dhe rehabilitimin e tyre psikologjik. Kjo është arsyeja pse është qenësore të thyhet kjo heshtje, duke u dhënë zë atyre që nuk kanë dhe duke krijuar një hapësirë të sigurt për dialog dhe mbështetje. Në Itali, ne jemi dëshmitarë të rritjes së një lëvizjeje fuqizimi; gratë po mblidhen së bashku, duke ndarë historitë dhe përvojat e tyre. Kjo jo vetëm që ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit publik, por gjithashtu ofron një model të qëndrueshmërisë për viktimat e dhunës. Në Kosovë, gratë po bëjnë të njëjtën gjë, duke luftuar për të drejtat e tyre dhe një të ardhme më të mirë”, u shpreh De Riu.
Roli i institucioneve, sipas diplomatit italian është thelbësor që viktimat të marrin ndihmën e nevojshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kritikoi institucionet e drejtësisë për mos-ndëshkueshmëri të dhunuesve sipas ligjit.
“Është tejet e rëndësishme që të ketë zbatim të legjislacionit në fuqi. Qeveria, Kuvendi i Kosovës e ka për detyrë që të hartojnë ligjet, por është e detyrë e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të drejtësisë që të zbatojnë në përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Nëse shohim Kodin Penal, vepra e dhunës në familje parasheh dënim me gjobë dhe me burgim deri në tri vite. Por deri më tani nuk kemi asnjë dënim deri në maksimumin që e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Prandaj, po e shfrytëzoj edhe këtë organizim që të bëjë thirrje tek institucionet e drejtësisë që të zbatojnë me përgjegjësinë më të lartë nenin që ndërlidhet me dhunën në familje, që dhunuesve të ua japin dënimin e merituar me gjobë dhe me burgim deri në tri vite. Kjo është ajo çfarë parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
E para e Drejtësisë tha se janë bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Në ditën e parë të fushatës globale “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, ish-presidentja, Atifete Jahjaga përmendi disa nga emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre.
“Dhuna me baza gjinore nuk është realitet i Kosovës vetëm, ky problem po prek çdo shoqëri pasi që dhuna nuk njeh kufi. Ajo shfaqet në të gjitha kulturat, në çdo komunitet duke e bërë këtë një çështje botërisht shqetësuese. Intensiteti dhe mënyra se si trajtohet kjo dukuri varet nga shumë faktor përfshirë edhe reagimin ligjor dhe institucional. Kosova si një vend i ri ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar një kuadër ligjor të fort kundër kësaj plage shoqërore, por sfidat qëndrojnë në zbatimin e tij të plot dhe në zbatimin e tij efektiv. Ani pse jemi vend i ri në krahasim me vendet sikurse Italia ta themi, Kosova zhvillimin e ka të shpejt dhe të dukshëm në shumë fusha. Po filloj me shembullin personal, në vitin 2011 askush në Kosovë, as burrë e as grua, i ri apo i vjetër nuk e ka paramenduar që Kosova do ta zgjidhte gruan e parë presidente”, përfundoi Jahjaga.
Jahjaga foli edhe për sfidat e asaj kohe gjatë udhëheqjes së shtetit, ku tha se pati dyshime se “si grua nuk do të ja dalë në një vend të udhëhequr nga burrat”.
Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, deri më 10 dhjetor do të organizohen aktivitete nga institucionet por edhe nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.