Mëngjesin e sotëm në disa shkolla të rajonit të Gjilanit ka pasur alarm për bombë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka bërë të ditur se nuk ka vend për panik.
Po ashtu, ai ka deklaruar se kanë dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin në disa shkolla në Novëbërdë, Kamenicë, Ranillug dhe Kllokot.
Në një përgjigje, Hashani ka njoftuar se informatat për alarm bombe i kanë pranuar nga përgjegjësit e disa shkollave.
“Ju njoftojmë se nga orë të hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka pranuar informata nga përgjegjësit e disa shkollave të komunës së Novobërdës, Kamenicës Ranillugut , dhe Kllokotit se përmes Email adresave zyrtare të këtyre shkollave kanë pranuar informatë se ka të vendosura bomba ( mjet shpërthyes). Për momentin nuk ka vend për panikë. Policia e Kosovës dhe njësitet e IEDD kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe janë duke i hetuar rastet veç e veç”, thuhet në këtë përgjigje me shkrim.
Po ashtu, mëngjesin e sotëm është ndërprerë procesi mësimor në disa shkolla të komunave veriore.