Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka reaguar pas deklarimeve të Mimoza Kusari-Lilës, e cila dje pas mbledhjes së Komisionit për Ekonomi ka bërë të ditur se kanë rekomanduar që të mos miratohet raporti i punës së AKP-së dhe shkarkimin e Bordit të AKP-së për shkak të performancës së dobët.
Bordi i AKP-së fton publikisht ushtruesen e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila dhe deputetët e GP të LVV brenda komisionit, që të bëjnë publike se cila pjesë konkrete e Raportit Vjetor të punës arsyeton qëndrimin e tyre për mungesë të performancës së Agjencisë.
Për më tepër, bordi konstaton se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, dhe qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar.
“Është për keqardhje që në mungesë të fakteve dhe argumenteve për vlerësim profesional të Raportit Vjetor, deputetët e një grupi parlamentar përdorin argumente politike të çuditshme, të përgjithësuara dhe të pakuptueshme për ne dhe opinionin publik, duke tentuar që të njollosin punën me përkushtim të gjithë stafit të Agjencisë, e cila është zhvilluar në rrethana jo të lehta të cilat e kanë karakterizuar vitin 2020.“
Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti, mbajnë përgjegjësi për secilin veprim dhe aktivitet të paraqitur në Raportin Vjetor për vitin 2020, dhe me përgjegjësi morale dhe ligjore theksojmë se edhe përkundër rrethanave të rënda që vendi ka kaluar si pasojë edhe e pandemisë Covid-19, gjatë vitit 2020 Agjencia ka bërë performancën më të mirë të mundshme konform atyre rrethanave.
Të vetmit tregues negativë, e të cilët nuk janë fshehur, por janë pasqyruar edhe në Raportin Vjetor, janë rënia e të hyrave si pasojë e Vendimit të Qeverisë Nr.02/15 i datës 23.03.2020 dhe Vendimi i Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020 për pezullim e të gjitha veprimeve në lidhje me pronat që ka në administrim dhe pezullimin e gjitha valëve të shitjes, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi edhe në ditën e sotme. Andaj nëse për ushtruesen e detyrës së kryetarit të GP të LVV, kjo quhet performancë e dobët e AKP-së, atëherë Bordi e fton atë që me guximin e saj politik dhe profesional, ketë përgjegjësi ta kërkoj aty ku edhe e ka burimin faktik dhe ligjor”, përfundon reagimi i Bordit të AKP-së.
Ndryshe, rekomandimet e GP të LVV që të mos mbështetet dhe miratohet raporti i punës së AKP-së, dhe shkarkimi i Bordit të AKP-së është miratuar dhe i është përcjell seancës së Kuvendit të Kosovës, me çka i është hapur rruga qeverisë që të propozojë bordin e ri./UBTNews