UBT News

Akuzat për korrupsion: Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj deklarohen të pafajshëm

Dy të akuzuarit, Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

I akuzuari Faruk Mujka tha se nuk e pranon fajësinë, ndërsa i akuzuari Hysen Muzliukaj deklaroi se ndihet absolutisht i pa fajshëm.

Prokurorja e rastit, Iliriana Qollaku Tafa, tha se sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.

Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit” nuk i kishte deklaruar 60 mijë e 50 eurot që i ishin sekuestruar në shtëpi.

Sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Më 25 prill 2021, Mujka, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Muzliukaj si drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, kishin paraqitur Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme në rrugën “Afrim Zhitia” (ndërtesa e ish-Bankosit) me një pronë private në rrugën “Ali Zeneli”, në pronësi të personit fizik Besarta Isufi.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit e dinin që prona e ish-Bankosit nuk ishte pronë komunale, pasi për të ekzistonte një proces gjyqësor i iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë.

Po ashtu, sipas dokumenteve, Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy vendime për shpalljen me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit, më 30 gusht 2012 dhe më 23 shkurt 2017, në bazë të të cilave ishte kërkuar që Bordit të AKP-së t’i bartet e drejta e shfrytëzimit, meqë prona nuk ishte komunale.

Prokuroria pretendon se Mujka dhe Muzliukaj kishin vepruar në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe me Rregulloren për përcaktimin e procedurave për këmbim të pronës komunale, duke i shkaktuar AKP-së dëm të konsiderueshëm financiar në vlerë prej 125 mijë e 100 euro.

Për këto veprime, të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa për shumën prej 60 mijë e 50 euro të padeklaruar, Mujka ngarkohet edhe me veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas nenit 430 të Kodit Penal./S.K/EO/

Exit mobile version