Akullnajat zvicerane, të prekur rëndë nga ngrohja globale, kanë humbur rreth 25% të vëllimit të tyre gjatë dekadës 2015-2025, sipas një studimi të publikuar nga rrjeti zviceran i monitorimit të akullnajave Glamos.
Kjo tregon një përshpejtim të shkrirjes së tyre krahasuar me dekadat e mëparshme: 17% humbje në vitet 2010-2020, 14% në vitet 2000-2010 dhe 10% në vitet 1990-2000.
Dimri me reshje të ulëta bore e valët e nxehtësisë gjatë gushtit kontribuan në humbjen e 3% të vëllimit të akullnajave vetëm këtë vit.
Matjet u kryen në 20 akullnaja, duke ofruar pasqyrë për të gjitha 1.400 formacionet akullnajore në Zvicër. Matthias Hus, drejtor i Glamos, thekson: “Për rreth 20 vjet, të gjitha akullnajat zvicerane kanë humbur akull dhe shkalla po përshpejtohet.” Akullnajat janë jetike për furnizimin me energji hidroelektrike dhe ujë të pijshëm, ndaj shkrirja e tyre ka pasoja të mëdha mjedisore dhe ekonomike.
Zvicra është e prekur nga ngrohja globale, e cila është dyfish më e lartë se mesatarja globale, sipas Zyrës Federale Zvicerane për Meteorologji dhe Klimatologji. Nëse emetimet e CO₂ vazhdojnë në nivelet aktuale, të gjitha akullnajat zvicerane, që përbëjnë më shumë se gjysmën e vëllimit të mbetur të akullnajave alpine – mund të shkrijnë deri në fund të shekullit.
Që nga fillimi i viteve 1970, më shumë se 1.100 akullnaja zvicerane janë zhdukur. Tërheqja e tyre jo vetëm që zvogëlon furnizimin me ujë të ëmbël për Evropën, por destabilizon malet, duke rritur rrezikun e shembjeve të shkëmbinjve e akullit, siç ndodhi në fshatin Blatten vjet.
Deri në fund të 2025, vëllimi i akullit në akullnajat zvicerane pritet të jetë 45,1 kilometra kub, 30 kilometra kub më pak se në vitin 2000, ndërsa sipërfaqja do të ketë rënë me 30%, duke arritur në 755 kilometra katrorë.
Edhe pse qershori i këtij viti ishte i dyti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë dhe gushti solli valë tjetër të nxehtësisë, temperaturat më të ulëta në korrik dhe reshjet e borës në lartësitë mbi 2.500 metra ndihmuan që humbja e akullit të mos ishte më e madhe se mesatarja e periudhës 2010-2020. /A.Z/UBT News/