Studentët e UBT-së, në ciklin e debateve javore me personalitete nga jeta publike, këtë të mërkurë, kanë zhvilluar një debat përmbajtësor e mjaft interesant me aktorin e mirënjohur kosovar, Fatmir Spahiu.
Studentët janë interesuar për investimet e shtetit në fushën e kulturës, veçanërisht për mbështetjen e teatrit dhe projekteve filmike, disa prej të cilave kanë arritur të marrin vlerësime në festivalet më të njohura ndërkombëtare.
Aktori kosovar tha se fatkeqësisht mbështetja institucionale është tejet e vogël në krahasim me potencialin që ka Kosova në kinematografi, ku filmat me producentë, regjisorë e aktorë vendorë po marrin edhe trofe në festivale ndërkombëtare të njohura e të vlerësuara të filmit.
Spahiu e quajti “humoristik” buxhetin e ndarë të shtetit për kinematorgafinë dhe kulturën.
Komplet kinematorgafia kosovare, sipas tij, ka pasur një shumë simbolike të parave për realizimin e dhjetëra filmave.
“Nëse jeton në Kosovë ti kurrë nuk e arrin famën, pasi nuk të vlerësojë. Vetëm nëse vjen nga Londra atëherë të vlerësojnë edhe këtu.”
“Ndërsa po të shkosh kudo në botë ke respekt si filmbërës nga Kosova”.
As shteti e as televizonet, qoftë ai publik apo ato private, sipas tij, nuk kanë ofruar mbështetje serioze për projekte filmike e as për dokumentarë për figurat emblemantike të Kosovës.
Ai ka komentuar edhe në lidhje me realizimin e mundshëm të një filmi për Komandantin Legjendar, Adem Jashari.
“Në një film për figurën e Adem Jasharit do të duhej të investoheshin dhjetëra mijëra apo miliona euro buxhet”.
“Më shumë prodhime për luftën e Kosovës ka RTS serbe, sesa RTK-ja. Serbët prodhojmë e bëhen pronarë të gënjeshtrës, kurse ne jemi viktima të së vërtetës kemi shumë figura ku mund të shndërrohen në dokumentar”, deklaroi Spahiu.
Duke folur për jetën e tij si aktor, Spahiu u tha studentëve se rolet më sfiduese i ka pasur në teatër.
Ai ka paralajmëruar një projekt të ri vjeshtor i cili lidhet me gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale.
Në diskutimin me të rinjtë, Spahiu tha se shpreson që rinia të ngelet në Kosovë e të mos ikin jashtë vendit.
Aktori i njohur foli edhe për produksionin e tij të quajtur “Buka”. Po ashtu, ai u tha studentëve se si aktor kosovar është edhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit ku merr pjesë edhe në vlerësimin e prodhimeve filmike të vlerësuar nga kjo akademi.
Por ai pati kritikat e tij për hapësirën shumë të madhe që i jepet politikës në telvizionet tona.
Sipas tij, në Kosovë është më yll një opinionist se sa një aktorë, duke e parë këtë si padrejtësi dhe rrezik.
“Tash për tash, në televizionet tona kemi vetëm politikë e energji negative. Emisioni politik është më i lirë, sjellja e politikanëve është shumë e lirë, shikueshmëria është e madhe”, u shpreh ai, duke potencuar se në emisione zbavitëse, argëtuese e edukuese investohet tejet pak.