UBT News

Aktori i Hollywood-it James Handy vdes në moshën 81-vjeçare pas sulmit me thikë

Aktori veteran i Hollywood-it, James Handy, ka vdekur në moshën 81-vjeçare pasi u sulmua me thikë për vdekje në shtëpinë e tij në Tarzana të Los Angelesit, ka raportuar The Guardian.

Sipas Policisë së Los Angelesit (LAPD), Handy është gjetur pa ndjenja në oborrin e shtëpisë së tij me plagë të shumta në kraharor.

Për rastin është arrestuar 44-vjeçari Michael Gledhill, djali i partneres së aktorit, i cili jetonte në të njëjtën shtëpi me nënën e tij dhe viktimën. Ai po hetohet për vrasje.

Sipas autoriteteve, personi që kishte telefonuar në numrin emergjent 911 ka deklaruar: “Unë jam biri i njeriut, sapo e vrava njeriun e mëkatit”. Ndërkohë, i dyshuari më vonë u ka thënë policëve: “Jam personi që po kërkoni”, kur ata mbërritën në vendngjarje.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari banonte në këtë adresë së bashku me nënën e tij, e cila ishte partnerja e viktimës.

James Handy ka lindur në New York dhe ka ndërtuar një karrierë që ka zgjatur pothuajse pesë dekada. Ai është bërë i njohur për role në filma si “Jumanji”, “Logan” dhe “Top Gun: Maverick”, si dhe në seriale të njohura si “Law & Order”, “NCIS: Los Angeles” dhe “Criminal Minds”.

Karrierën e nisi në vitin 1977 me serialin “Ryan’s Hope”, ndërsa paraqitja e tij e fundit në film ishte në vitin 2022 me “Top Gun: Maverick”.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se hetimet për motivin e ngjarjes vazhdojnë.

Exit mobile version