Aktori i njohur britanik, Ray Brooks, një figurë e dashur e ekranit të vogël dhe zëri i paharrueshëm i serialit të famshëm për fëmijë “Mr Benn”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtë.
Lajmin e hidhur e konfirmoi familja e tij, e cila bëri të ditur se u nda nga jeta të shtunën, i rrethuar nga të afërmit. Gjatë karrierës pesëdekadëshe, Brooks luajti në disa nga serialet dhe dramat më të njohura të televizionit britanik, shkruan DailyMail.
Ai u bë i famshëm me rolin e Reg në dramën “Cathy Come Home”, një produksion i BBC-së me regji të Ken Loach, i cili trajtonte krizën e strehimit dhe mbeti një nga transmetimet më me ndikim në historinë e televizionit. Në vitet e 80-ta fitoi zemrat e publikut me rolin e Robbie Box në “Big Deal” dhe si Max Wild në “Running Wild”. Brooks ishte një nga të paktët aktorë që u shfaq në “Coronation Street” dhe “EastEnders”, duke lënë gjurmë me interpretimet e tij.
Zëri i tij u bë pjesë e fëmijërisë së miliona britanikëve përmes “Mr Benn”, ku fraza “sikur me magji!” mbetet ikonike. Edhe pse seriali pati vetëm 13 episode, ai u transmetua vazhdimisht për më shumë se dy dekada.
Përveç televizionit, aktori pati role të suksesshme në kinema dhe teatër, përfshirë filmin fitues të Palmës së Artë “The Knack… and How to Get It” dhe komedinë “Carry On Abroad”. Ai gjithashtu kontribuoi si narrator në programe të tjera dhe bëri zërin për qindra reklama.
Familja e tij kujtoi dashurinë e Brooks për futbollin, veçanërisht për klubin Fulham, dhe për kohën e kaluar në Brighton, vendlindjen e tij.
Në vitet e fundit, ai jetoi me demencë, por deri në fund ruajti lidhjen e ngushtë me të afërmit. Larg nga skena dhe kamerat, Ray Brooks mbeti një njeri i thjeshtë, i përkushtuar ndaj familjes dhe pasioneve të tij.