UBT News

Aktorë nga 12 teatro në Serbi do të mbështesin kërkesat e studentëve me një grevë njëjavore

Aktorët nga teatro të ndryshme të Serbisë kanë vendosur të hyjnë në një grevë njëjavore duke filluar nga 10 shkurti, si akt solidariteti me studentët që kanë bllokuar fakultetet për gati tre muaj. Ky është një vendim historik për teatrin serb, pasi është greva e parë e tillë në histori të teatrove të vendit.

Studentët, të cilët janë angazhuar në bllokada dhe protesta që nga 22 nëntori, kanë kërkuar llogari nga autoritetet për vdekjen e 15 personave në Novi Sad dhe kërkojnë një punë më efikase të institucioneve, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve pa ndikime politike.

Aktorët janë solidarizuar me studentët që nga fillimi i protestave, duke anuluar shfaqjet dhe duke shprehur mbështetje për kërkesat e tyre. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat dhe në rrjetet sociale, ata kanë thënë: “Shprehim solidaritet të plotë me studentët dhe mbështesim pa kushte të gjitha kërkesat e tyre”.

12 teatro, përfshirë ato në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë, do të qëndrojnë të mbyllura nga 10 shkurti për të mbështetur protestat e studentëve, duke e bërë këtë një grevë të madhe dhe të gjerë.

Studentët kanë kërkuar përgjegjësi për shembjen e tendës që ka shkaktuar vdekjen e 15 personave më 1 nëntor të vitit të kaluar, duke i kërkuar qeverisë të zbulojë të gjitha informacionet lidhur me incidentin dhe të mbrojë ligjin dhe kushtetutën. Ata janë mbështetur nga qindra mijëra qytetarë në mitingje dhe protesta, duke përfshirë një protestë të madhe në Novi Sad ku u bllokuan tri urat kryesore të qytetit.

Shtimi i mbështetjes nga aktorët e teatrave vjen pas një vendimi të fundit nga avokatët, të cilët shpallën ndërprerjen e punës për një muaj, duke u bashkuar kështu me protestat dhe kërkesat e studentëve për drejtësi dhe përmirësimin e institucioneve të shtetit./UBTNews/

 

Exit mobile version