UBT News

Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon trurin të harrojë kujtimet traumatike

Një studim i ri i realizuar nga Universiteti i Kyushus në Japoni dhe Universiteti i Torontos ka zbuluar se aktiviteti fizik i vazhdueshëm mund të ndihmojë në zbehjen e kujtimeve traumatike apo të lidhura me varësinë.

Studiuesit testuan këtë teori te minjtë, të cilëve u ishin dhënë tronditje elektrike, duke shkaktuar tek ta sjellje të ngjashme me çrregullimin e stresit post-traumatik, si frikë, ankth dhe shmangie të mjediseve që lidhen me traumën.

Kur minjtë u lanë të ushtronin, filluan të prodhonin më shumë neurone në pjesën e trurit të quajtur hipokampus, zonë kyçe për kujtesën dhe simptomat e traumës u pakësuan ndjeshëm.

Edhe ndërhyrja gjenetike për të përshpejtuar prodhimin e neuroneve dha rezultate pozitive, ndonëse jo aq efektive sa aktiviteti fizik.

E njëjta metodë u aplikua edhe për sjellje të lidhura me varësinë. Minjtë që më parë shfaqnin preferencë për një dhomë të lidhur me përdorimin e kokainës, pas rritjes së neurogjenezës, nuk tregonin më të njëjtën tërheqje ndaj saj.

Sipas studiuesve, rezultatet hapin rrugën për trajtime të reja ndaj PTSD-së dhe varësive, duke u fokusuar në riformësimin e lidhjeve në tru.

Por deri atëherë, aktiviteti fizik mbetet një mënyrë e fuqishme dhe lehtësisht e arritshme për të ndihmuar trurin të çlirohet nga e shkuara.

Exit mobile version