Një aktiviste ruse i ka vënë flakën pasaportës së saj gjatë një proteste kundër pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, protestë kjo që u mbajt në kryeqytetin skocez, Edinburg. Anna Jakubova përdori një çakmak për të djegur pasaportën para qindra njerëzve. Ajo tha se është e tmerruar nga masakrat ndaj civilëve dhe i vjen turp që është ruse.
Në kryeqytetin skocez po mbahen protesta qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës të enjten e javës së kaluar. Të martën, Rusia sulmoi një kullë televizive në Kiev, dhe zyrtarët ukrainas konfirmuan se pesë persona u vranë në këtë sulm.
Si pasojë e raketave kanë mbetur të vdekur dhjetëra civilë në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dhe imazhet satelitore shfaqën një autokolonë të madhe të blinduar duke shkuar drejt Kievit.
Jakubova e cila mori pjesë në eventin “Standing In Solidarity With Ukraine” të martën tha: “E djega pasaportën si shenjë kundërshtie ndaj qeverise rusë dhe si dëshmi që madje edhe qytetarët rusë janë kundër vendit të tyre”.
Ajo shtoi: “Ka edhe shumë rusë që po protestojnë në Moskë dhe po rrezikojnë jetën, karrierën dhe familjet e tyre”.
Sa i përket të ardhmes, ajo thotë se “nuk dëshiron të jetë qytetare e një vendi që kreu krime të tmerrshme lufte”./UBTNews/