UBT News

Aktivistët mbulojnë grafitin e Mlladiqit në Beograd

Aktivistët e disa organizatave joqeveritare, më 25 nëntor, kanë mbuluar me letra ngjitëse grafitin në qendër të Beogradit, me të cilin glorifikohej krimineli i luftës, Ratko Mlladiq.

Grafiti ku shkruante se Mlladiq është hero, u mbulua me dhjetëra letra ngjitëse në të cilat shkruante “Ratko Mlladiq-kriminel lufte”.

Policia, po ashtu, ishte në vend të ngjarjes dhe i ka identifikuar pjesëmarrësit e protestës.

Protesta u organizua edhe në shenjë përkujtimi ndaj fushatës kundër luftës të Millan Mlladenoviqit, njërit prej rok muzikantëve më të njohur të ish-Jugosllavisë dhe udhëheqësit të bendit “Ekaterina Velika”.

Ai kishte marrë pjesë në fushatat kundër luftërave në fillim të viteve ’90 dhe ngriti zërin kundër luftës bashkë me disa muzikantë të tjerë.

Në korrik në Beograd, në skajet e rrugëve, “Njegosheva” dhe “Aleksa Nenadoviq” u vizatua një mural i madh kushtuar kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, të cilin aktivistët disa herë deri tash e dëmtuan me ngjyrë apo vezë.

Secilën herë, anëtarët e grupeve djathtiste e pastruan dhe vizatuan sërish pjesët e mbuluara me ngjyrë.

Tash e katër muaj prej kur murali në fasadën e ndërtesës qëndron i vizatuar, asnjë institucion në nivel lokal nuk e ka larguar.

Për shkak të shtresës me të cilën mbrohet, për heqjen e muralit nevojitet një kompani e specializuar për pastrimin e fasadave. Për heqjen e muralit ishin deklaruar edhe përfaqësuesit e opinionit publik ndërkombëtar, megjithatë autoritetet në Serbi tash për tash nuk kanë reaguar.

Ratko Mlladiq u dënua në Tribunalin e Hagës me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje, krime kundër njerëzimit, dëbimit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje e Hercegovinë nga viti 1992 deri më 1995./REL

Exit mobile version