UBT News

Aktivistet afgane të indinjuara nga bisedimet në Oslo

Gratë afgane të cilat protestuan kundër sundimit të ashpër të talibanëve thonë se janë ‘tradhtuar’ nga Norvegjia, vendi i parë perëndimor që priti talibanët që kur ata morën pushtetin në gusht.

I udhëhequr nga ministri i jashtëm, një delegacion taliban udhëtoi për në Oslo për takime me zyrtarë perëndimorë dhe anëtarë të shoqërisë civile afgane.

Gratë aktiviste që janë përballur me frikësimin nga talibanët pasi organizuan protesta të vogla janë të indinjuar nga përpjekjet diplomatike.

“Më vjen keq për një vend të tillë si Norvegjia që organizoi këtë samit, u ul me terroristët dhe bëri marrëveshje”, tha Wahida Amiri, aktiviste që ka protestuar në Kabul që nga kthimi i talibanëve.“Më trishton shumë. Turp për botën që e pranoi këtë dhe u hap dyert talibanëve”, tha ajo për AFP.

Disa gra protestuan në shtëpitë e tyre në qytetet Kabul, Bamiyan dhe Mazar-i-Sharif, në imazhet e postuara në mediat sociale.

“Norvegjia ka ftuar kriminelë dhe terroristë që nuk kanë respekt për të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut”, i tha AFP një aktiviste nga Bamiyan. Sipas saj, “[Talibanët] janë kundër grave dhe njerëzimit dhe nuk besojnë në lirinë e fjalës”.

Një tjetër aktiviste në qytet tha se gratë ishin të shqetësuara se të drejtat e tyre do të “tregtoheshin pas dyerve të mbyllura” në Oslo.

Talibanët kanë premtuar një sundim më të butë se ai i fundit midis viteve 1996 dhe 2001, kur gratë u ndaluan të dilnin nga shtëpia pa një shoqërues mashkull dhe u detyruan të mbanin burkën.

Asnjë vend nuk e ka njohur ende qeverinë e re dhe Ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt theksoi se bisedimet “nuk do të përfaqësojnë një legjitimim ose njohje të talibanëve”./UBTNews/

Exit mobile version