UBT News

Aktakuzë për vrasjen e 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit V.A., për rastin e vrasjes së 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I akuzuari ngarkohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” ,“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Kanosja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën E.C., me të cilën ka bashkëjetuar, ashtu që fillimisht ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për të ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthej në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas dyzet minutave kthehet pa fëmijën në QPS, dhe rreth orës 14:40 vëren tani të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C, pastaj para tyre hyn në zyrën e QPS-së dhe posa mbërrin e ndjera me vëllain, pas një fjalosje të shkurtë, nxjerr nga brezi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T” dhe shtënë një herë në drejtim të të ndjerës duke e qëlluar në kraharor e pastaj shtënë edhe në drejtim të të dëmtuarit D.C, të cilin e qëllon në krahun e djathtë, pastaj derisa e ndjera E.C., fillon të largohet, e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund në anën e majtë të kokës, ku për pasojë e ndjera nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila më 12 prill 2024, është konfiskuar nga policia, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.A., ngarkohet edhe me veprën penale “Kanosja” ashtu që ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit me përdorim të armës seriozisht e kanos të dëmtuarën Q.Z., duke ia vendosur armën në ballë me cka ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafi 2 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat ngarkohet sipas aktakuzës.

Një grua kishte mbetur e vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasditen e 12 prillit.

Exit mobile version