UBT News

​Aktakuzë për vrasje të rëndë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B, i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga muaji gusht për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, me datë 10 gusht të këtij viti, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri “me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh, të njëjtin e privon nga jeta”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku pas përfundimit të saj, viktima ishte duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

I pandehuri e ka ndjekur atë dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit”, sipas Prokurorisë.

Ekspertiza mjeko-ligjore e autopsisë e datës 22 shtator, tha se lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës.

Ndër të tjera, Prokuroria tha se “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, në kuadër të procedurave hetimore përkatëse, ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar përleshjen me qen.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./D.B/KP

Exit mobile version