Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj I.Z., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona duke përdorur armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, tre persona kanë mbetur të plagosur. Dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri ka marrë lëndime të lehta. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa pësuar lëndime.
Prokuroria bën të ditur se arma e përdorur në këtë rast dyshohet se mbahej pa autorizim ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Armët. Pas arrestimit të të pandehurit, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municioni.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, I.Z. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë./A.K/
