Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për spiunazh. Bëhet fjalë për një person me iniciale H.S i cili akuzohet “se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.25, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë e njohur si BIA”.
Sipas aktakuzës, H.S, më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, duke ju bashkuar organizatës terroriste “ISIS”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione tek zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ‘ISIS’, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B, dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme, sipas Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin H.S deri në 700 euro në muaj.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij si dhe të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi./D.B/KP