Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit me inicialet S.F, ish-pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Përmes një njoftimi për media, prokuroria jep detaje për krimet e kryera nga S.F dhe zyrtarë të tjerë deri tani të paidentifikuar nga organet e ndjekjes.
“Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri S.F. në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, derisa viktima H.Sh, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S dhe Sh.H, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri S.F”, njofton Prokuroria Speciale.
Në njoftim bëhet e ditur se ata kishin rrahur e torturuar viktimën për fatin e të cilit nuk dihet asgjë.
“Në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë. Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së”, bënë të ditur prokuroria.