UBT News

Aktakuzë për keqpërdorim në projektin e lapidarit në Suharekë, dy persona përfundojnë në gjykatë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, dyshohet se gjatë zbatimit të projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, ka tejkaluar kompetencat zyrtare për t’i mundësuar përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.

Në aktakuzë thuhet se, në kuadër të kontratës me vlerë 28 mijë e 650 euro, ai ka miratuar pagesën prej 5 mijë eurosh, duke konstatuar se punimet ishin realizuar, ndonëse ato nuk ishin kryer sipas kontratës.

Si pasojë, Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm material prej 5 mijë eurosh, fakt i mbështetur edhe nga ekspertiza e ndërtimtarisë.

Ndërkaq, A.M., si person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., dyshohet se ka pranuar pagesën prej 5 mijë eurosh, megjithëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./A.K/

Exit mobile version