Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: I.Th., F.M., R.M., E.B., K.K., në cilësi të personave zyrtarë, pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj A.K., dhe V.B., për shkak dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, me datë 22.02.2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të pandehurit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, F.M., në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për urbanizëm e planifikim hapësinor të Komunës së Prizrenit, R.M., në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për urbanizëm e planifikim hapësinor të Komunës së Prizreni, E.B., si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe K.K., në cilësi të shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët A.K., dhe V.K., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të ndërtimtarisë të Drejtorisë së inspektorateve të Komunës së Prizrenit të datës 03.12.2018, ndërprenë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve V.K., dhe A.K., ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim, duke u lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K., dhe A.K., në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.
Me këto veprime të pandehurit e lartëcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit A.K., dhe V.K., me datë 08.05.2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1 nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.
Me këto veprime, të pandehurit A.K., dhe V.K., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” sipas KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit A.K., dhe V.K., prej datës 08.05.2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2. Me këto veprime të pandehurit, kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu tu shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin publik” si dhe “Urdhëri për publikimin e aktgjykimeve”.