UBT News

Aktakuzë në mungesë ndaj një romi për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet I.B. Personi i cili aktualisht gjendet në arrati, është i nacionalitetit rom dhe vjen nga Komuna e Klinës.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’.

“I pandehuri I.B, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në fshatin Zajm të Komunës së Klinës, ju bashkua forcave policore dhe ushtarake serbe dhe si pjesëtar e grupit, vazhdimisht kishte marr pjesë në plaçkitjen e popullsinë civile dhe shtëpive të tyre duke u marr sende me vlerë, si automjete, bagëti, televizor dhe gjësende të tjera nga shtëpitë e disa banorëve”, është bërë e ditur në njoftimin e prokurorisë.

Sipas prokurorisë, i njëjti kishte marr pjesë në djegien e shtëpive në fshatin Zajm dhe fshatrat për rreth, ku në njërën nga shtëpitë e djegura, përkatësisht në shtëpinë e M. A, u gjetën të djegur viktimat B. A. dhe B. K.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, është theksuar në njoftimin e prokurorisë.

Kjo çështje penale i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për fillimin e gjykimit në mungesë.

Exit mobile version