Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka informuar se është ngritur aktakuzë kundër tetë personave lidhur me rastin e pjesëmarrjes në rrahje në Graçanicë.
Sipa komunikatës, ndaj të pandehurve C.Z., L.K., B.Z., D.N.,M.J., D.R. dhe N.R., është ngritur aktakuzë pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, ndërsa ndaj të pandehurit M.R., për shkak të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”.
“Sipas aktakuzës, më 22.02.2021, rreth orës 11:00, në fshatin Llapnasellë në Graçanicë, përkatësisht në afërsi të shkollës fillore “Miladin Mitic”, i pandehuri N.R., së bashku me të pandehurit e lartcekur (shokët e tij), pas disa provokimeve me fjalë të cilat i pranon nga një i mitur, për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake, i mituri fillimisht e shtynë të pandehurin N.R., ndërkaq ky i fundit e godet me grusht në fytyrë dhe në këtë mënyrë fillon rrahja në mes të dy grupeve të të pandehurve, ku si rezultat i rrahjes, i pandehuri N.R., pëson lëndime të rënda trupore, ku me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të KPRK-së. Po ashtu, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore gjatë rrahjes, me mjet të fortë dhe të përshtatshëm, i pandehuri M.R., e godet në fytyrë N.R., i cili si rezultat i goditjes ka pësuar lëndime të rënda trupore-me dëmtim të përhershëm të shëndetit, andaj, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallet fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.