Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka informuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër pesë të pandehurve me inicialet A.Gj., E.S., N.S., M.B dhe Sh.K, për vepra të ndryshme penale.
Të pandehurit A.Gj., E.S., N.S dh M.B., sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kohore nga muaji mars 2021 e deri më 10.10.2021, fillimisht kanë bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një person me gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS – Zyra për Marrëdhënie me jashtë, janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojeve të ndryshme.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, siç është bërë e ditur në komunikatë, kanë kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 138 paragrafi 1 lidhur me veprën penale ‘’Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërkaq të pandehurit E.S dhe A.Gj., sipas Prokurorisë, pa autorizim, kanë siguruar dhe mbajtur në kontroll duke i fshehë dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë arsenal të armëve të zjarrta dhe municion të llojeve të ndryshme. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, siç është bërë e ditur në komunikatë, kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e nenin 31 të KPRK-së.