UBT News

Aktakuzë ndaj një personi për krime lufte në një fshat të Gjakovës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.I, i nacionalitetit shqiptar, i cili ngarkohet për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Gjakovës.

Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri, gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në njoftim.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së.

Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se i pandehuri gjendet në arrati. Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version