Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve me inicialet AM, E.A, Q.E dhe E.Z.
Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve AM dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
“Ndërsa kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B.Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.