UBT News

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim në prokurimin publik në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, prej tyre katër zyrtarë komunalë në Suharekë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, të pandehurit D.M. dhe A.K., në cilësinë e menaxherit dhe mbikëqyrësit të kontratës, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre gjatë zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatin Javor, duke aprovuar punime të papërfunduara dhe duke lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro. Në disa raste, sipas prokurorisë, rrugë të kontraktuara nuk ishin ndërtuar fare, duke i shkaktuar komunës dëm financiar dhe duke mundësuar përfitim të kundërligjshëm për operatorin ekonomik.

Po ashtu, E.SH. dhe I.H. akuzohen për veprime të ngjashme në projekte të tjera rrugore në Javor dhe Luzhnicë, ku janë miratuar pagesa prej 17,124.10 euro, ndonëse disa prej punimeve nuk ishin realizuar.

Ndërkohë, XH.K. dhe A.S., në cilësinë e përfaqësuesve të operatorëve ekonomikë, akuzohen se kanë paraqitur dokumentacion të rremë mbi përfundimin e punimeve, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë pas përfundimit të procedurës gjyqësore, si dhe ka kërkuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të pandehurit./A.K/

Exit mobile version