UBT News

Aktakuzë ndaj dy personave për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve A.B., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, më datë 16.07.2025, në Prizren, të pandehurit A.B., dhe E.Sh., duke vepruar në bashkëkryerje dhe pa autorizim, shpërndajnë dhe ofrojnë për shitje substanca narkotike të llojit marihuanë të siguruara përmes rrugëve ilegale.

“I pandehuri E.Sh., duke përdorur veturën e tij, shkon në shtëpinë e A.B., i njëjti merr një çantë të zezë me 18 qese me narkotikë të llojit “marihuanë” dhe më pas takohen me L.K., dhe E.K., dhe i  shesin atyre sasi të narkotikëve. Pas kryerjes së shitblerjes, policia ka reaguar dhe ka ndaluar të pandehurit në  flagrancë. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, i pandehuri A.B., ka hedhur në tokë çantën e zezë, e cila përmbante 18 qese najloni me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 60.97 gram. Gjithashtu, gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit A.B., janë sekuestruar shtatëdhjetë e tetë (78) qese najloni me substancë të dyshuar narkotike, të cilat, pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, kanë rezultuar të jenë të llojit “marihuanë”, me peshë totale prej 2 kg”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i çështjes, bëhet e ditur se me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera: narkotikë me peshë të përgjithshme prej 2 kg, një (1) automjet, të holla kesh etj.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./S.K/EO/

Exit mobile version