Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Aktakuza në Gjykatën Themelore është dorëzuar ndaj F.K dhe N.S.
“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, tha Prokuroria.
Pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30 gusht të vitit 2023, i pandehuri F.K. ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese.
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”, ka shkruar ai, siç e ka cekur Prokuroria Speciale.
“Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., e ka kanosur me vrasje kryeministrin në detyrë përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K”, tha Prokuroria përmes një njoftimi për media të premten, më 1 gusht.