Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.B, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B, gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare duke anashkaluar interesin e institucionit, ku në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.
Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan që të pandehurin ta shpallë fajtor për këtë vepër penale dhe të njëjtit t’i shqiptojë edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./UBTNews