Sot në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, është realizuar plani operativ, në kuadër të të cilit Departamenti i Policisë Kufitare dhe Doganën e Kosovës, ka kryer kontroll në katër lokacione, tre në komunën e Shtërpcës dhe një në komunën Mitrovicë Veri, dhe ka ndaluar, kontrolluar katër automjete me të cilat dyshohej se bëhej transport, gjegjësisht tregti e ndaluar dhe kontrabandë.
Gjatë kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial, gjëra ushqimore, pije alkoolike, duhan etj., mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës.
Në konsultim me Prokurorinë e Shtetit, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar 11 meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe dukuritë tjera negative.