UBT News

Aksioni i PSD-së para Kuvendit, kundërshtohet votimi i Ligjit për KPK-në

Partia Socialdemokrate ka organizuar një aksion para Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ata kanë vendosur një kukull me fotografi të kryeministrit Albin Kurti para dyerve të Kuvendit të veshur si prokuror ku shkruan “Dua të bëhem prokuror”.

Zgjim Hyseni nga PSD ka përmendur përpjekjet e pushtetit për të ndikuar në zgjedhjen e kryeprokurorit.

“Këshilli aktual i ka 13 anëtarë. E kanë rritur këshillin aktual për periudhën tranzicionale në 18, plus 5 anëtar secili prej tyre ka mu zgjedh prej Kuvendit. Me kriju shumicën tash në mënyrë që me zgjedh kryeprokurorin”, ka thënë Hyseni.

Po ashtu ai ka përmendur edhe përpjekjet paraprake të partisë në pushtet, të cilat janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

“Qysh e kanë mendu tash kontrolli perfid shumicë janë prokurorët po pa u pajtu anëtarët e zgjedhur prej politikës asnjë vendim me rëndësi nuk mundet me u marr. Praktikisht me draftin e dytë i kanë dhënë veto anëtarëve të zgjedhur prej politikës. Ky është cënim i balancit dhe i autonomisë së sistemit të drejtësisë. Edhe këtë draft ua ka hedh poshtë Gjykata Kushtetuese po këta mi nal përpjekjet kurrësesi”, tha ai.

Hyseni ka thënë se sot pritet që të votohet në parim ky ligj. Ai ka ftuar deputetet që mos të votojnë pro këtij ligji dhe bëri thirrje që të përcillet me vëmendje kjo gjë. Hyseni ka bërë me dije që për ta parandaluar këtë do të bëjnë përpjekje që ta rrisin gamën e organizimeve e protestave duke potencuar se ka shkelje të qarta kushtetuese.

Exit mobile version