Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari të Policisë gjatë një operacioni të zhvilluar të enjten, më 17 korrik, që lidhet me dyshimet për spiunazh.
Sveçla e cilësoi këtë ndërhyrje si një aksion të rëndësishëm, duke theksuar se “rrit sigurinë dhe integritetin e institucioneve të vendit”.
Operacioni është ndërmarrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të tij”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.