Për të katërtin vit radhazi, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka mbajtur aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) për produktet menstruale.
Rreth 7 mijë e 500 nënshkrime të mbledhura për peticionin “Peceta nuk është luks” janë dorëzuar te ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Organizatorja e Qendrës QIKA, Medina Dauti tha se qëllimi i këtij aksioni është që t’ia rikujtojnë ministrit Murati, se produktet menstruale nuk janë çështje luksi dhe si të tilla duhet të jenë pa TVSh. Ajo potencoi se mosreagimi i tij lidhur me këtë problematikë, tregon indiferencën e tij, për çka thotë se përkrahja e taksës për këto produkte është ‘seksiste dhe ndikon në mosqasjen e tyre’.
“Sot kemi ardhur për t’ia dorëzuar ministrit Hekuran Murati 7 mijë e 500 nënshkrimet që i kemi mbledhur vitin e kaluar për peticionin ‘Peceta nuk është luks’. Kemi përpiluar hartimin që ministri nuk po ka guxim dhe vullnet ta përpilojë vet që është vendim që ndikon mbi heqjen e taksës, e heq taksën menstruale dhe ndikon në zbutjen e varfërisë menstruale…Është viti katërt radhazi që jemi duke kërkuar prej ministrit të hiqet taksa, ai nuk ka dal dhe nuk e ka folur asnjë fjalë për çështjen në fjalë. Kjo ndikon edhe indiferencën e tij, si po e përkrah këtë taksën që është absolutisht seksiste dhe ndikon keq në qasjen për produkte menstruale”, tha Dauti.
Ndër të tjera, Dauti tha se qasja në produkte menstruale është e drejtë bazike dhe nuk duhet të kushtëzohet me taksë prej 18 për qind, duke e futur tek “produktet e luksit”.
“Po ashtu, duam t’ia rikujtojmë për herën e katërt radhazi, që produktet menstruale nuk janë luks dhe çdo grua dhe person tjetër që menstron nuk kanë zgjedhje për menstruacione. Qasja në produkte menstruale duhet të jetë e qasshme për të gjithë dhe është e drejtë bazike që nuk duhet të kushtëzohet apo taksohet 18 për qind si produkt luksi”, potencoi Dauti.
Sipas një studimi nga Fondacioni Thomson Reuters, që prej kur Kenia u bë vendi i parë që hoqi TVSH-në për produktet menstruale në vitin 2004, të paktën 17 vende e kanë ndjekur këtë shembull.
Në Evropë rreth 20 vende kanë ulur TVSH-në për produktet higjienike, dhe Italia është ndër shtete e fundit që e ka bërë këtë gjatë vitit të kaluar.