Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se ka nisur realizimin e shkyçjeve nga sistemi i furnizimit me ujë për konsumatorët që kanë borxhe të akumuluara dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet financiare.
Sipas njoftimit, aksioni i shkyçjeve po zbatohet në terren, ndërsa sot ndërhyrjet janë duke u realizuar në rrugën “Asllan Pireva” në Prishtinë.
Nga ndërmarrja është theksuar se vendimi vjen pas njoftimeve dhe afateve të përsëritura për shlyerjen e detyrimeve, të cilat nuk janë respektuar nga disa konsumatorë.
“Pavarësisht njoftimeve dhe afateve të përsëritura për shlyerjen e detyrimeve, borxhi i papaguar ka arritur nivele të papranueshme, duke detyruar ndërmarrjen të ndërmarrë këtë masë”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka apeluar tek konsumatorët që të shlyejnë borxhet në mënyrë që të shmangin shkyçjet dhe kostot shtesë të rikyçjes.
Në fund, kompania ka rikujtuar se uji është shërbim jetik dhe pagesa me kohë përbën përgjegjësi të secilit konsumator.
/A.K/
